Për avancimin e mëtejmë të drejtës së autorit dhe të drejtave të përaafërta.

Konferenca Kombëtare për Pronësi Intelektuale në Kosovë

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Projekti i financuar nga BE “Forcimi i Sistemit të Pronësisë Intelektuale në Kosovë” – EUIPR, organizuan Konferencën Kombëtare për Pronësi Intelektuale në Kosovë, ku u paraqitën sfidat dhe të arriturat në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Projekti i financuar nga BE “Forcimi i Sistemit të Pronësisë Intelektuale në Kosovë” – EUIPR, organizuan Konferencën Kombëtare për Pronësi Intelektuale në Kosovë, ku u paraqitën sfidat dhe të arriturat në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në konferencën e organizuar morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore e lokale që kanë lidhje me këtë fushë të rëndësishme dhe palët e përfshira që veprojnë në Kosovë në kuadër të mbrojtje së të drejtave pronësore intelektuale.

Rexhep Hoti, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Konferencën Kombëtare për të Drejtat Pronësore Intelektuale në Kosovë, tha se kjo e fundit ka ndërtuar infrastrukturën ligjore për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

“Në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës ligjore në këtë fushë është nxjerrë Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta si dhe tash është në proces të plotësimit-ndryshimit, me qëllim që të jetë i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian”, tha Hoti.
Gjithashtu, zëvendësministri Hoti theksoi se me qëllim të luftimit të piraterisë si dhe në funksionim të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit Task Forca Kundër Piraterisë po zhvillon aktivitetet e saj duke ndërmarrë veprime në terren ku ka konfiskuar materiale të shumta pirate.

Hoti po ashtu shprehu ankesën se mënjanimi i Republikës së Kosovës prej Bashkimit Evropian, me të drejtë apo pa të, pavarësisht se Kosova është duke ndërtuar standarde evropiane, ekskluzivisht që nga viti 2012 e këndej, duket të mos jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve tona. Sipas tij, aq më tepër kur në Kosovë është me fuqi ekskluzive gjyqësori i Bashkimit Evropian që nga viti 2008.

Nga ana tjetër, Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se dikasteri që ajo drejton përkrahë fuqishëm forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale.
Bajrami tha se mbrojtja e markave tregtare dhe të patentave industriale përbën dy fusha ku vendi ynë përballet me sfida.

Ministrja Bajrami tha se pronësia intelektuale ka rëndësi të madhe për ekonominë e vendit. Bajrami tutje u shpreh se duhet të inkurajohen zhvillimet teknologjike përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale.

Kurse Libor Chlad, zëvendëskryesues për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se pronësia intelektuale luan rol të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar prandaj është e rëndësishme që ajo të mbrohet me ligj.

Chlad theksoi se një sistem efektiv i Pronësisë Intelektuale është i rëndësishëm sidomos në parandalimin e piraterisë.

Ai shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim, për fuqizimin e të drejtave pronësore intelektuale në Kosovë.

Ndërkaq, Liljana Kuterovac, Drejtoreshë e Përgjithshme nga Zyra Kroate e Pronësisë Intelektuale informoi për përvojën e Kroacisë në këtë fushë.

Ajo tha se nga përvoja e shtetit të saj, të drejtat e pronësisë intelektuale janë të rëndësishme për BE-në. Kuterovac tha se përkushtimi politik është mjaft i rëndësishëm sikurse edhe bashkëpunimi ndërinstitucional sa i përket të drejtave pronësore intelektuale.