Për avancimin e mëtejmë të drejtës së autorit dhe të drejtave të përaafërta.

Strategjia kundër Piraterisë dhe Falsifikimit

Në Republikën e Kosovës, të drejtat e autorit janë të  drejta të garantuara me Kushtetutë, me Ligjin mbi të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, dhe nga 1 Janari 2013, janë të sanksionuara me Kodin Penal. Në këtë aspekt mund të thuhet se është krijuar infrastruktura ligjore e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Sidoqoftë, zbatimi i të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta ne Kosove sfidohet nga shkalla e lartë e piraterisë.

Pirateria, përfshinë riprodhimin dhe shpërndarjen e kopjeve të mbrojtura me të drejtën e autorit, apo komunikimin dhe vënien në dispozicion të materialit të mbrojtur pa autorizim paraprak nga titullari i së drejtës, kur autorizimi i tillë është i nevojshëm në bazë të ligjit.  Respektivisht, pirateria, është dukuri që ka të bëjë më shkeljet e të drejtave, nga veprat e ndryshme; si veprat muzikore, letrare, filmike, programeve kompjuterike, video lojërave, bazës së të dhënave etj.

Çështja e luftimit të piraterisë është sfidë jo vetëm e Republikës së Kosovës, por edhe e vendeve tjera të zhvilluara. Duhet potencuar fakti, se të drejtat e autorit janë të drejta civile-juridike, të cilat duhet të mbrohen nga ana e titullarëve të tyre, konkretisht nga mbajtësit e të drejtave. Por, kur kemi të bëjmë me dukurinë e piratërisë, e cila në shkallë vendi është e lartë, dhe e organizuar, atëherë është obligim i institucional që të ndërmerren masa të organizuara shtetërore, si forma më efikase të luftimit të kësaj dukurie negative.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, respektivisht Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në fillim të vitit 2012, kishte ndërmarrë iniciativën për krijimin e një Strategjie Kombëtare Kundër Piraterisë. Për këtë arsye, ishte formuar Grupi Punues, i cili hartoi këtë strategji, të cilën e miratoi Qeveria e Republikës së Kosovës më 04 Tetor, 2012.

Politika e propozuar në kuadër të strategjisë ka paraparë hapat të cilët duhen të ndërmerren me qellim të luftimit të suksesshëm të piraterisë dhe falsifikimit. Strategjia e hartuar, përmban në radhë të parë nocionet themelore lidhur me piraterinë dhe format e paraqitjes së saj; obligimet dhe rolet e institucioneve në luftën kundër piraterisë; objektivat dhe aktivitetet; dhe qasjen e rekomanduar për Qeverinë e Kosovës.

Strategjia kombëtare kundër piraterisë dhe falsifikimit, me qëllim të realizimit të suksesshëm të luftës kundër piraterisë, ka këto objektiva:

1.  Ulja e nivelit të piraterisë dhe falsifikimit;
2.  Rritja e produktivitetit në industrinë kreative;
3.  Identifikimi i problemeve dhe shkaqeve që ndikojnë në rritjen e piraterisë dhe falsifikimit;
4.  Luftimi i ekonomisë joformale dhe krijimi i parakushteve për investime të huaja;
5.  Bashkëpunimi ndërinstitucional në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar; dhe
6.  Arritja e standardeve evropiane

Për përmbushjen e objektivave të strategjisë është paraparë ndërmarrja e aktiviteteve konkrete për secilën objektivë, të gjitha këto sipas planit të veprimit, i cili në detaje ka të përcaktuara aktivitet që do të realizohen.

Respektivisht është paraparë që gjatë periudhës 2012-2016, të realizohet:

  • Themelimi i Task Forcës;
  • Plotësimi dhe zbatimi i legjislacionit aktual, fuqizimi i institucioneve përgjegjëse;
  • Sensibilizimi i opinionit me të drejtat e autorit, organizimi i fushatave senzibilizuese, seminareve, konferenca, kampanja edukative dhe vetëdijësuese lidhur me     rëndësinë e të drejtës së autorit dhe pasojat penale dhe civile në rast të shkeljes së     të drejtave të autorit;
  • Vënia në funksion e mjeteve juridike dhe koordinimi ndër-institucional  për pengimin e veprimtarisë pirate, mbrojtjen e veprave origjinale dhe ndëshkimin e kryesve
  • Sekuestrimi dhe konfiskimi i materialeve pirate dhe të falsifikuara;
  • Pamundësimi i funksionimit të Web faqeve me përmbajtje pirate.